Saturday, April 4, 2020
Home > Lajme > Progni: Duam vendin e dytë dhe Kupën

Progni: Duam vendin e dytë dhe Kupën

422053_5002050085230_328616886_n

Skënderbeu-Kukësi duhej të ishte një sfidë që do të vendoste fatet e titullit kampion, por diferenca prej 7 pikësh mes dy skuadrave kryesuese të kampionatit, e kthen në një takim të radhës, ku më shumë luhet për prestigj. Sipas mesfushorit të nënkampionëve të Shqipërisë, Gerhard Progni, Kukësi do të luftojë fort për vendin e dytë, ndaj do të udhëtojë drejt Korçës vetëm për rezultat pozitiv.

“Një vit më parë e mbyllëm sezonin në vendin e dytë, ndaj nuk duam të shkojmë me zbritje. Objektivi ynë në Korçë mbetet rezultati pozitiv sepse duam të jemi sërish nënkampionë të Shqipërisë”.

27-vjeçari premton një ndeshje spektakël, e cila do t’i kënaqë tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit Skënderbeu.

“Do të ishte më mirë nëse do të përballeshim për titullin, megjithatë unë besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur për tifozët. Në fund le të fitojë më i miri”.

Për të dytin vit radhazi në Kategorinë Superiore Kukësi praktikisht e ka siguruar pjesëmarrjen në Europa League, ndërsa objektivi më i rëndësishëm i sezonit, mbetet Kupa e Shqipërisë.

“Nga njëra anë duam që ta përfundojmë sezonin të dytët, por nga ana tjetër mendojmë për finalen e Kupës. Do të ishte një arritje e madhe për qytetin dhe tifozët e Kukësit nëse arrijmë ta fitojmë këtë trofe”./Goal.al/