Tuesday, October 17, 2017
Home > Lajme > Shqipëria “pushton” Francën

Shqipëria “pushton” Francën

kombetarja

Tre stadiume të mbushur me kapacitet të plotë, me mijëra tifozë në krah të Kombëtares. Në pjesëmarrjen historike në Euro 2016, Shqipëria pritet të jetë një prej skuadrave me mbështetjen më të madhe të evenimentit.

Kjo vetëm në ndeshjen hapëse me Zvicrën, apo edhe në sfidën me Francën organizatore, por edhe për duelin e fundit në Grupin A kundër Rumanisë.

Në ndeshjen që do të luhet më 19 Qershor në Lion, të pranishëm në Stade des Lumieres do të jenë 59,286 spektatorë. Pra impianti është i shitur me kapacitet të plot, edhe pse vetëm një muaj më parë, UEFA njoftoi se kishte rinxjerrë në shitje bileta për sfidën Shqipëri-Rumani.

Tashmë në portalin zyrtar të Konfederatës Europiane të futbollit, ku tifozët kanë aplikuar për bileta, shfaqet njoftimi i UEFA-s: “Momentalisht nuk ka bileta të disponueshme për ndeshjet e Euro 2016. Provoni më vonë, pasi disponueshmëria mund të ndryshojë”.

Shitja e të gjitha biletave për ndeshjen e Kombëtares kuqezi me Rumaninë është një lajm i mirë, jo vetëm për spektaklin, por mbi të gjitha për skuadrën e Gianni De Biasit.

Kjo për faktin se ndeshja e fundit në Grupin A pritet të jetë vendimtare për ambiciet e Shqipërisë, që të kualifikohet në fazën e 1/8-ave të turneut. Zgjerimi i Kampionatit Europian dhe ndryshimi i formulës, ku përveç dy ekipeve të para në gjashtë grupet e Euro 2016, kualifikohen edhe 4 të tretat më të mira, bëjnë që shanset për të kaluar grupin të jenë reale.